Jovan Viqentijeviq, i cili përballet me akuza për përfshirje në një sulm terrorist në kanalin Ibër-Lepenc, ka pranuar se mori pjesë në një trajnim ushtarak në Serbi.
Sipas tij, trajnimi u mbajt në poligonin “Pasuljanske Livade” dhe përfshinte rreth 120 pjesëmarrës nga veriu i Kosovës. Viqentijeviq është akuzuar gjithashtu për spiunazh, dhe gjatë transportimit të tij për në qendrën e paraburgimit, ai ka dhënë informacione për përfshirjen e tij dhe të tjerëve në aktivitete të paligjshme.
Ai pranoi se ishte pjesë e një kursi trajnimi nga data 14 deri më 23 shtator 2023, nën drejtimin e eprorëve serbë, përfshirë Aleksandër Kosanin. Gjithashtu, në aktakuzë përmendet se Viqentijeviq ishte në dijeni për një plan sulmi në Kosovë në tetor 2024, i cili u shty për shkak të zgjedhjeve në SHBA.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur akuza kundër 45 individëve për rolin e tyre në sulmin e armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa zyrtarë të tjerë.

Leave a Reply