Policia e Shqipërisë ka realizuar me sukses operacionin “Varkëtari”, duke arrestuar një të ri 29-vjeçar nga Puka, i cili dyshohet se po transportonte drogë, tritol dhe municion drejt Kosovës.
Operacioni u zhvillua nga DVP Kukës, Policia e Tropojës dhe Forcat e Posaçme “Shqiponja”, pas marrjes së informacionit se materialet do të kalonin kufirin. Sipas autoriteteve, i dyshuari L.
P. kishte përdorur një varkë për të kaluar nga fshati Apripë i Pukës në Tropojë, ku kishte parkuar një makinë Volkswagen për të shmangur kontrollet policore.
Në automjetin e tij, u zbuluan dhe sekuestruan 1.2 kilogramë kanabis, 405 gram tritol, 51 kapsolla detonatore, 5 metra fitil zjarrpërcjellës, municion luftarak dhe një sasi parash. I dyshuari u arrestua në flagrancë në fshatin Dushaj.
Policia po bashkëpunon me Prokurorinë dhe autoritetet kosovare për të zbardhur plotësisht rastin dhe për të identifikuar personin që pritej të merrte materialet në Kosovë. Materialet janë dorëzuar për hetime të mëtejshme.

Leave a Reply