KQZ: Ndryshime në procesin e votimit jashtë vendit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që votimi në disa përfaqësi diplomatike të zhvillohet përmes postës.

Ky vendim është marrë pas analizës së Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, e cila evidentoi mungesën e kapaciteteve të mjaftueshme të stafit për të përmbushur kriteret minimale zgjedhore në disa përfaqësi, në rast se subjektet politike nuk dërgojnë përfaqësuesit e tyre. Përveç kësaj, janë identifikuar sfida operative, logjistike dhe financiare, si nevoja për viza dhe distanca të largëta, që çuan në rekomandimin për rishikimin e vendimit për votim fizik.

Sipas njoftimit të KQZ-së, votimi përmes postës do të aplikohet në përfaqësitë diplomatike në Ankara, Shkup, Kanbera, Abu Dhabi, Iowa, Podgoricë, Tiranë dhe Tokio. Ndërkohë, procesi zgjedhor jashtë Kosovës do të zhvillohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata në 18 shtete të ndryshme më 27 dhjetor 2025.

Disa prej këtyre vendeve përfshijnë Gjermaninë, Zvicrën, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *