Lëvizja Vetëvendosje (LVV), në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, po shfaq një ndryshim të dukshëm në qasjen e saj publike.
Eksponentët e partisë, përfshirë kreun Albin Kurti, po përdorin një gjuhë më të matur dhe bashkëpunuese, duke u distancuar nga termat më të rëndë si “hajvanë”. Ky moderim i diskursit po shihet si një strategji për përmirësimin e imazhit dhe hapjen e mundësive për koalicione të mundshme paszgjedhore.
Donika Emini, hulumtuese në BiEPAG, vlerëson se ky ndryshim nuk është i rastësishëm dhe synon përgatitjen për bashkëpunime pas zgjedhjeve, ndërsa sociologu Artan Muhaxhiri shpreh skepticizëm mbi këtë ndryshim të shpejtë të LVV-së. Ai mendon se partia synon të tërheqë votuesit e pavendosur, por shton se partitë tjera politike mbeten skeptike për këtë ndryshim.
Ndërkohë, Kurti ka deklaruar se marrëdhëniet me SHBA-në janë të forta, megjithëse kritikat për qasjen e tij ndaj aleatëve ndërkombëtarë nuk kanë munguar. Emini beson se LVV-ja po përpiqet të zbusë tonet për të krijuar një marrëdhënie më konstruktive me administratën e re amerikane.
Në zgjedhjet e ardhshme, mbi 2 milionë kosovarë do të kenë të drejtë vote, me pjesëmarrje të 24 subjekteve politike.

Leave a Reply