Produkt qumështi për fëmijë tërhiqet për shkak të bakterieve

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës ka bërë të ditur se ka tërhequr nga tregu produktin e qumështit për fëmijë “APTAMIL” për shkak të pranisë së bakteries Bacillus cereus.

Kjo masë është marrë pas një njoftimi nga Komisioni Evropian përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), i cili e vlerësoi rrezikun si serioz. Produkti, që mban numrin e lotit 111444865, ishte importuar nga Mbretëria e Holandës nga kompania UNION SH.P.K., Vushtrri.

AUV ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar gjurmueshmërinë dhe tërheqjen e tij nga tregu. Agjencia është e angazhuar për të vazhduar monitorimin rigoroz të tregut ushqimor, duke siguruar që konsumatorët në Kosovë të kenë akses në ushqime të sigurta dhe të shëndetshme, në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë ushqimore.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *