Ramadani: Mbështetje e plotë institucionale dhe diplomatike për Arbnor Spahiun është e domosdoshme

Eksperti i sigurisë, Burim Ramadani, ka bërë thirrje për mbështetje institucionale dhe diplomatike për ish-policin e Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili po mbahet në burg në Serbi.

“Arbnor Spahiu, ish-polic i Kosovës, duhet të përkrahet me të gjitha mjetet institucionale e diplomatike. Ai po mbahet peng në Serbi për muaj të tërë”, ka shkruar Ramadani.

Sot, në orën 12:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë do të zhvillohet një protestë paqësore në mbështetje të ish-policit Arbnor Spahiu.

Protesta ka si kërkesë të vetme lirimin e tij nga paraburgimi në Serbi, ku po qëndron prej katër muajsh. Njoftimi nga familja Spahiu thekson se qëllimi i kësaj proteste është të bëjë thirrje institucioneve vendase dhe ndërkombëtare që të kundërshtojnë padrejtësinë.

Arbnor Spahiu, ish-anëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, u arrestua më 7 qershor në pikën kufitare nga Hungaria në Serbi. Autoritetet serbe e akuzojnë atë për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”.

Sipas autoriteteve serbe, Spahiu dyshohet se ka kryer këtë vepër në Banjskë të Zveçanit më 23 shtator 2023, gjatë sulmit të një grupi terroristësh serbë të armatosur, të udhëhequr nga Milan Radojçiqi, ndaj Policisë së Kosovës ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *