Seanca fillestare në Gjykatën Themelore të Prishtinës u ndërpre të mërkurën pasi mbrojtja kërkoi përjashtimin e prokurorit special Bekim Kodraliu.
Rasti përfshin dy vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviq, të akuzuar për një sulm në kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin-Potokut. Avokati i Jovan Viqentijeviqit, Nebojsha Vllajiq, shprehu pakënaqësi ndaj prokurorit Kodraliu dhe kërkoi përjashtimin e tij nga çështja, duke argumentuar se prokurori nuk ka vepruar në përputhje me kërkesat e mbrojtjes për mbledhjen e provave.
Ai theksoi se provat e kërkuara nuk janë përfshirë në hetime dhe se kjo ka ndikuar në të drejtën për mbrojtje të drejtë. Po ashtu, avokati Millosh Deleviq, që përfaqëson Dragisha Viqentijeviqin, mbështeti kërkesën për përjashtimin e Kodraliut, duke pretenduar se prokurori nuk ka marrë në konsideratë kërkesat për dëgjimin e dëshmitarëve dhe mbledhjen e incizimeve.
Prokurori Kodraliu mbrojti veprimet e tij, duke theksuar se hetimet janë kryer me bashkëpunim ndërkombëtar dhe se disa dëshmi nuk janë konsideruar të rëndësishme në këtë fazë. Gjykatësi Vesel Ismaili vendosi të ndërpresë seancën deri në një vendim të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale lidhur me kërkesën e mbrojtjes.

Leave a Reply