Babai i Salih Mustafës ndërron jetë pa vizitën e të birit

Jahja Mustafa, babai i ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, ka ndërruar jetë.

Hysni Gucati, kryetar i OVL e UÇK-së, ka konfirmuar lajmin dhe ka shprehur ngushëllime për familjen dhe të njohurit e të ndjerit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gucati theksoi dhimbjen e madhe që ndjehet, sidomos për shkak të pamundësisë së Salih Mustafës për ta vizituar babanë e tij në momentet e fundit, për shkak të situatës me Gjykatën Speciale.

OVL e UÇK-së ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, që nuk i mundësoi Salih Mustafës një vizitë humanitare pranë babait të tij. Ata e cilësuan këtë refuzim si një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut dhe theksuan se nuk kishte rrezik për ndikim në proceset gjyqësore.

Në reagim, theksohet se drejtësia pa humanizëm është një padrejtësi e institucionalizuar dhe ngushëllimet e tyre shkojnë për familjen Mustafa dhe të gjithë ata që e njohën Jahja Mustafën.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *