Gjykata Kushtetuese mund të vonojë vendimin, ndërsa kuvendi mbetet i paplotësuar pa nënkryetarë

Masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese përfundon sot.

Prej 5 shtatorit, kjo masë ka pezulluar të gjitha veprimet dhe vendimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përfshirë edhe procedurat për formimin e qeverisë.

Duke u nisur nga kjo situatë, Gzim Shala nga Instituti Kosovar për Drejtësi shpjegon se ka raste kur është marrë vendimi për shtyrjen e afatit të masës së përkohshme.

‘’Nisur nga fakti se Gjykata Kushtetuese ka caktuar këtë afat kohor, arsyeshëm pritet që sot të nxjerrët një vendim meritor nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, bazuar në praktikën e kaluar të Gjykatës Kushtetuese, ka edhe raste kur është vendosur që të miratohet një vendim i ri për shtyrje të afatit të masës së përkohshme’’, thotë Shala për Indeksonline.

Sipas Shalës, Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa përzgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve të tij.

Madje, Shala thekson se procedura e përzgjedhjes së nënkryetarëve nga komunitetet jo-shumicë ishte në kundërshtim me Kushtetutën.

‘’Sa i përket konstituimit të kuvendit, IKD-ja vazhdimisht ka deklaruar se kuvendi nuk mund të konsiderohet i pakonstituuar në mungesë të përzgjedhjes së të gjithë nënkryetarëve të kuvendit. Madje, siç kemi deklaruar paraprakisht, procedura e përzgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë ishte në kundërshtim me Kushtetutën, e cila kërkon që nënkryetarët e kuvendit nga radhët e komuniteteve të votohen në pako’’, shprehet Shala për Indeksonline.

Gjykata Kushtetuese duhet të urdhërojë përsëritjen e votimit për nënkryetarët nga komunitetet jo shumicë, duke siguruar votim të përbashkët për dy nënkryetarët nga komunitetet jo shumicë, shton Shala nga IKD-ja.

Shala thotë se vetëm pas përzgjedhjes së të gjithë nënkryetarëve të kuvendit përmes procedurave të rregullta kushtetuese Kuvendi mund të konsiderohet i konstituuar, duke hapur rrugën për formimin e institucioneve.

Sa i përket respektimit të vendimit nga gjykata, Shala thotë se moszbatimi i një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese përbën moszbatim të Kushtetutës.

‘’Andaj, partitë politike duhet të përmbahen nga çfarëdo veprimi që paraqet mos zbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë rast, theksojmë edhe rëndësinë e mos sabotimit të zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese përmes veprimeve politike. Në raport me këtë aktgjykim, partitë politike duhet të veprojnë me sinqeritet dhe mirëbesim për të dalë nga kriza institucionale’’, shton në fund Shala.

Lista Serbe u ankua në Kushtetuese për veprimin e kreut të ri të kuvendit, Dimal Basha, i cili, më vonë, do të shpallte organin ligjvënës të konstituuar, pavarësisht moszgjedhjes së nënkryetarit nga minoriteti serb./Indeksonline/


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *