Policia prezanton planin për zgjedhjet, fton qytetarët të raportojnë shkeljet

Policia e Kosovës ka nisur zbatimin e urdhrit operativ për zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë u zhvilluan dy takime zyrtare për të diskutuar planifikimin dhe koordinimin e këtij procesi. Në takimin e parë morën pjesë drejtorë rajonalë dhe të departamenteve të policisë, ndërsa në të dytin u bashkuan edhe përfaqësues nga organet e drejtësisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Diskutimet u përqendruan në përgatitjet për sigurinë dhe koordinimin ndërinstitucional gjatë zgjedhjeve. Drejtori i Përgjithshëm, kolonel Gazmend Hoxha, theksoi se procesi deri tani ka qenë i qetë dhe pa incidente.

Ai kërkoi mbikëqyrje të rreptë nga menaxherët për të siguruar profesionalizëm dhe integritet në zbatimin e detyrave policore. Policia e Kosovës vazhdon të jetë e përkushtuar ndaj detyrave të saj ligjore, duke garantuar një proces zgjedhor të sigurt dhe transparent.

Qytetarët inkurajohen të raportojnë çdo veprim të dyshimtë që lidhet me sigurinë e zgjedhjeve përmes numrit emergjent 192.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *