Pas fitores historike në Prizren kundër Anwilit në ndeshjen e parë të kualifikimeve për “FIBA Europe Cup”, ekipi i Bashkimit synon të arrijë suksese të reja në Poloni.
Skuadra e Prizrenit do të zhvillojë të mërkurën, më 1 tetor, ndeshjen e kthimit në kuadër të kualifikimeve për këtë garë.
Para kësaj sfide të rëndësishme për qytetin historik të Prizrenit, i cili prej disa vitesh jeton për basketboll, për Arbresh.info foli një nga protagonistët kryesorë të skuadrës, Valon Bunjaku.
Bunjaku, i cili është pjesë e ekipit tash e dy vjet, diskutoi për përgatitjet e klubit të tij para kësaj ndeshjeje të madhe. Ai gjithashtu vlerësoi punën e madhe të bërë nga trajneri i ri, Igor Jovovic.
“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë që nga para-sezoni. Kemi punuar me intensitet të lartë dhe me fokus të madh në aspektin fizik dhe taktik. Trajneri i ri ka sjellë një qasje të freskët, disiplinë dhe një filozofi moderne loje dhe personalisht, jam shumë i kënaqur me mënyrën se si po menaxhon ekipin. Ka krijuar një ambient pozitiv dhe konkurrues, që po reflekton edhe në rezultatet tona”, theksoi Bunjaku.
Organizatori i lojës për klubin “Bashkimi” nënvizon gjasat e klubit prizrenas për kualifikim, si dhe atmosferën që mbizotëron në skuadër para sfidës së madhe.
“Fitorja në ndeshjen e parë ishte historike dhe shumë e rëndësishme për ne, por e dimë se asgjë nuk ka përfunduar ende. Anwil është një skuadër me përvojë, sidomos kur luan në shtëpi. Megjithatë, ne besojmë në aftësitë tona dhe do të shkojmë atje me qëllimin e qartë, për të luftuar për kualifikim. Gjasat janë reale dhe motivimi është maksimal”, tha Bunjaku.
Sipas tij, fitorja e parë ka ofruar besim dhe energji lojtarëve.
“Atmosfera në skuadër është shumë pozitive. Fitorja e parë na ka dhënë besim dhe energji shtesë. E dimë që koha për përgatitje është e shkurtër, por kemi qenë të përqendruar dhe kemi analizuar mirë kundërshtarin. Po punojmë çdo ditë me fokus të plotë për të qenë gati për ndeshjen e kthimit”, shtoi 27-vjeçari.
Për disa, rezultati i ndeshjes së parë ishte befasues, dhe kualifikimi mund të jetë gjithashtu, por Bunjaku thotë se rezultati është falë punës së tyre të përditshme.
“Fitorja në ndeshjen e parë na motivon jashtëzakonisht shumë. Kur mund një ish-kampion si Anwil, e kupton që çdo gjë është e mundur me përkushtim dhe loje të disiplinuar. Nëse kalojmë tutje, padyshim që do të ishte një sukses i madh, jo vetëm për Bashkimin por edhe për basketbollin kosovar në përgjithësi. Mund të konsiderohet si një “befasi” për të tjerët, por për ne është rezultat i punës që po bëjmë çdo ditë”, deklaroi njëri nga lojtarët më të dalluar të Bashkimit.
Për të arritur suksesin historik, ata duhet të nxjerrin një rezultat pozitiv në Poloni, në një nga palestrat më të zjarrta në vend. Presioni do të jetë i madh, dhe Bunjaku është i vetëdijshëm për këtë.
Megjithatë, ai thotë se presionin do ta kthejnë në motiv shtesë për të arritur qëllimin historik.
“Është e vërtetë që na pret një sfidë e vështirë dhe një atmosferë ndoshta edhe më e zjarrtë se ajo në Prizren, por jemi profesionistë dhe jemi përgatitur edhe në aspektin psikologjik. Presioni është pjesë e lojës, por ne e shohim si motivim shtesë. Jemi të fokusuar, me këmbë në tokë dhe gati për të dhënë maksimumin”, tha Bunjaku për Arbresh.info.
Sikurse në ndeshjet miqësore të para-sezonit, po ashtu edhe në ndeshjen e parë, Bashkimi ka pasur si armë të fortë lojën kolektive, që sipas Bunjakut kjo do të jetë edhe çelësi i suksesit për duelin e nesërm.
“Mendoj se dallimin do ta bëjë qasja jonë mentale dhe mënyra se si e fillojmë ndeshjen. Arma jonë më e fortë është loja kolektive dhe energjia që sjellim si grup në parket. Sa i përket Anwil-it, janë një skuadër shumë cilësore, por në ndeshjen e parë e pamë se nëse vendosim presion dhe luajmë me ritëm të lartë, ata e kanë të vështirë të përshtaten. Ne duhet të shfrytëzojmë çdo dobësi që kemi vërejtur”, potencoi ai.
Klubi Bashkimi edicionin e kaluar ishte finalist i Kupës së Kosovës, si dhe e mbylli kampionatin në vendin e dytë, ku në të dyja finalet u mposht nga Trepça.
Valon Bunjaku dha një opinion për skuadrën e këtij sezoni dhe asaj të vitit të kaluar.
“Mendoj se jemi më të kompletuar këtë sezon. Kemi një përzierje të mirë të lojtarëve me përvojë dhe atyre të rinj që sjellin energji. Kemi më shumë thellësi në skuadër dhe besoj se kjo na jep më shumë opsione dhe stabilitet gjatë ndeshjeve. Për më tepër, përvoja e vitit të kaluar na ka ndihmuar të rritemi si grup”, përfundoi basketbollisti i përfaqësues së Kosovës.
Ekipi “Bashkimi” fitoi ndeshjen e parë me rezultat 80-75 në “Sezai Surroi” kundër ish-kampionit të “FIBA Europe Cup”, të vitit 2023, shkruan Arbresh.info.
Me një triumf, apo edhe me një humbje deri në katër pikë, “Arpagjik’t” do të arrinin suksesin më të madh në historinë e klubit, duke u kualifikuar në grupet e një prej garave më të mëdha evropiane në basketboll, në sezonin e tyre debutues në Evropë.
Ndeshja mes Anwil Wloclawek dhe Bashkimit luhet më 1 tetor nga ora 18:30./Arbresh.info/Drilon Halili/

Leave a Reply