Një incident i rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm në qytetin e Shtimes, ku një individ kërcënoi punonjësit e Komunës dhe shkaktoi dëme materiale në ndërtesë.
Ngjarja ndodhi më 26 dhjetor 2025, rreth orës 08:10, në rrugën “Tahir Sinani”, brenda hapësirave të Komunës. Sipas burimeve, i dyshuari H.
H. hyri në objekt duke mbajtur një sëpatë, me të cilën kërcënoi stafin, duke deklaruar se do t’i dëmtonte.
I dyshuari gjithashtu goditi me sëpatë kornizën e dritares së sportelit, duke shkaktuar dëme. Pas incidentit, ai u shoqërua në Stacionin Policor të Shtimes, por për shkak të problemeve të mundshme shëndetësore, intervistimi i tij nuk u krye.
Prokurori kujdestar u informua për rastin dhe urdhëroi nisjen e hetimeve për veprat penale “Kanosje” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, ndërsa i dyshuari u ndalua për 48 orë. Hetimet vazhdojnë nga organet kompetente.

Leave a Reply