Goditja e dytë për Dimal Bashën: Kushtetuesja hedh poshtë pretendimin për mbarimin e Kuvendit pas gjobës prej 25 mijë eurosh.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur sot që Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Në kundërshtim me këtë vendim, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, më 30 gusht kishte shpallur të përfunduar seancën konstituive edhe pa zgjedhjen e nënkryetarit serb.

Edhe pse shumica e deputetëve serbë ishin prezent në votim dhe asnjëri prej tyre nuk arriti të marrë votat e nevojshme – një veprim që Lista Srpska e kishte kundërshtuar duke mos marrë pjesë në votim – Basha kishte deklaruar se “konsideron” se moszgjedhja e njërës prej pesë nënkryetarëve nuk duhet të ndalojë konstituimin e Kuvendit të Kosovës, raporton Gazeta Express.

“Janë shteruar të gjitha mundësitë për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë që vjen nga komuniteti serb. Asnjëri nuk është zgjedhur, ku tetë prej tyre nuk kanë marrë votat e nevojshme për nënkryetar, ndërkohë që dy prej tyre kanë refuzuar kandidaturën. Ne si Kuvend nuk kemi alternativë tjetër për nënkryetarin serb, prandaj konsideroj që kemi mbyllur edhe pikën e katërt të rendit të ditës së seancës konstituive dhe, pasi nuk ka opsion tjetër objektiv, kjo seancë konsiderohet e përmbyllur”.

Basha kishte sqaruar se meqë Kuvendi është i konstituuar, në këndvështrimin e tij, mund të vazhdohet me mbledhjen e Kryesisë. Por, anëtarët e Kryesisë nga partitë e tjera shqiptare nuk morën pjesë në këtë mbledhje.

“Në interes të funksionalizimit të Kuvendit dhe realizimit të rezultateve zgjedhore të 9 shkurtit, konsideroj që zgjedhja e njërit prej pesë nënkryetarëve ose njërit prej gjashtë anëtarëve të Kryesisë nuk duhet të bllokojë konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pas mbylljes së seancës konstituive, Kuvendi duhet të vazhdojë punën siç parashihet me Kushtetutë, dhe për hapat e mëtejshëm, do të konsultoj anëtarët e zgjedhur të Kryesisë”, kishte deklaruar Basha.

Ky është lajmi i dytë për kryeparlamentarin brenda ditës, pasi më herët një gjykatë tjetër i kishte dhënë një vendim. Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar atë për shpifje, duke i kërkuar të paguajë 25 mijë euro si kompensim dhe të kërkojë ndjesë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *