PËRGATITUNI! Tetori nis me reshje shiu dhe dëbore, temperaturat pritet të zbresin deri në 1°C

Ditën e mërkurë, e cila përkon me fillimin e tetorit, vransirat do të shtohen që nga mëngjesi, megjithatë intervale të shkurtra me diell pritet të jenë të pranishme. Më vonë, gjatë mbrëmjes, reshjet e shiut do të shtrihen në të gjithë vendin, ndërsa në zonat më të larta malore pritet të ketë edhe reshje dëbore. Temperaturat maksimale do të luhaten ndërmjet 13C dhe 17C, ndërsa ato minimale do të zbresin në 5C deri në 8C. Era do të fryjë me intensitet mesatar nga verilindja me shpejtësi 5-10m/s.

Ditën e enjte, vendi do të përfshihet nga reshje më të shumta dhe të vazhdueshme shiu. Temperaturat do të pësojnë rënie duke arritur deri në 6C dhe 4C. Në zonat malore, reshjet e dëborës do të formojnë shtresën e parë të borës për këtë sezon dimëror.

Gjatë së premtes, reshjet e dëborës do të zbresin në lartësi më të ulëta, duke përfshirë pjesë të Prishtinës dhe rrafshnaltën e Kosovës, ku mund të formohen edhe shtresa dëbore. Temperaturat minimale do të zbresin deri në 1C. Këto reshje do të shoqërohen me erëra të theksuara të ftohta veriore, të cilat do të fryjnë me intensitet mesatar, 6-12m/s. Ndërsa kalojmë në ditën e shtunë, reshjet do të pushojnë, por vransirat do të mbeten të pranishme në vend. Ditën e diel, priten më shumë intervale me diell dhe temperaturat do të rriten deri në 15C.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *