Mustafa: Zgjedhjet janë të paevitueshme, Lista Serbe duhet të integrohet në sistemin kushtetues dhe jo të bojkotojë!

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës nuk është formuar në përputhje me rregullat kushtetuese. Mustafa tha se ky vendim ishte i parashikueshëm për ata që e njohin dhe e interpretojnë saktë Kushtetutën.

“Ka qenë i pritur gjykimi i Gjykatës Kushtetuese se Kuvendi nuk është konstituar, sepse kështu figuron në Kushtetutë për ata që e lexojnë drejt,” deklaroi Mustafa në një prononcim për IndeksOnline.

Ai theksoi se partitë politike nuk duhet të pengojnë komunitetin serb në ushtrimin e të drejtave të tyre kushtetuese, pavarësisht ndikimeve të mundshme nga Beogradi.

“Serbët janë deputetë të zgjedhur sipas ligjeve të Kosovës, me të drejta dhe obligime të barabarta. Nuk mundet një parti të bëjë presion politik mbi partitë e tjera për të penguar një komunitet të realizojë të drejtën e tij që ia jep Kushtetuta, pa marrë parasyshë se Lista serbe ndikohet nga Beogradi,” theksoi tutje ai.

Mustafa gjithashtu i bëri thirrje institucioneve që të punojnë për integrimin e përfaqësuesve të komunitetit serb në strukturat shtetërore dhe paralajmëroi se, në mungesë të një marrëveshjeje për formimin e qeverisë, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja.

“Mendoj se Kuvendi duhet të konstituohet, dhe pasi s’ka vullnet nga subjektet politike të bëhet qeveria, atëherë shkuarja në zgjedhje do të jetë epilogu i ardhshëm. E çfarë pas zgjedhjeve do të vendosin qytetarët me votën e tyre. Është kjo rregull e demokracisë!” përfundoi Mustafa.

Gjykata urdhëroi që seanca konstituive të përfundojë brenda afatit prej 12 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi.

Deputetët janë urdhëruar që funksionin e tyre ta ushtrojnë në “interesin më të mirë të Republikës së Kosovës” dhe ta zgjedhin nënkryetarin serb.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *