Raporti i Drejtorisë për Informim në Policinë e Kosovës ka evidentuar se dhuna në familje mbetet një problem i madh në vend.
Statistikat për vitet 2023, 2024 dhe deri në tetor 2025 tregojnë një rritje të dukshme të rasteve të raportuara dhe viktimave, veçanërisht gjatë vitit 2024, ku numri i rasteve arriti në 2,959, krahasuar me 2,639 në vitin 2023. Në periudhën janar-tetor 2025, megjithëse u vërejt një rënie e lehtë me 2,429 raste, situata mbetet shqetësuese.
Në aspektin gjinor, gratë janë më të prekura, duke përbërë shumicën e viktimave. Në vitin 2024, numri i viktimave femra u rrit në 2,362 nga 2,120 në vitin 2023.
Rritja e përgjithshme e viktimave ishte rreth 10% në vitin 2024. Ndërkohë, periudha janar-tetor 2025 ka regjistruar 2,424 viktima, duke përfshirë 1,897 gra.
Sa i përket vrasjeve të ndërlidhura me dhunën në familje, në vitin 2023 u raportuan 7 raste, ndërsa në vitin 2024 ky numër ra në 5. Deri në tetor 2025, janë shënuar 3 vrasje, me gratë që vazhdojnë të jenë më të prekura nga këto akte ekstreme.

Leave a Reply