Rama shpall bashkëpunimin me ‘Politeknikun’: Praktikat e paguara, urë lidhëse mes universiteteve dhe shtetit për studentët

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nënvizoi sot rëndësinë e ndërtimit të urave të reja të bashkëpunimit për të drejtuar studentët drejt tregut të punës.

Gjatë një ceremonie për nënshkrimin e marrëveshjes mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe Universitetit Politeknik të Tiranës, Kryeministri vlerësoi këtë hap si një mbështetje për përgatitjen e studentëve nëpërmjet praktikave të paguara të punës, me synim aftësimin e tyre profesional dhe njohjen nga afër me proceset e zhvillimit të infrastrukturës.

Rama theksoi se “tashmë jemi në një moment të rëndësishëm në rrugën e thellimit të bashkëpunimit mes qeverisë dhe universitetit”.

“Qysh kur shpallëm ‘Paktin për Universitetin’, procesi i ndërveprimit me universitetin sipas fushave ka pasur zhvillime të vazhdueshme. Eksperienca na ka mësuar që në këto bashkëpunime me fakultete të ndryshme ka shumë për të mësuar, por gjithashtu ka gjithmonë më shumë për të bërë”, tha Rama.

Sipas Kryeministrit, programi i sotëm është një shprehje e këtij fakti. Por njëkohësisht, ai theksoi se “përtej këtij programi që do të mundësojë rekrutimin për një praktikë të veçantë për një numër studentësh të këtij universiteti do të shkohet edhe më tutje”.

“Duam të zhvillojmë më shumë programe të posaçme të kësaj natyre për t’i dhënë mundësi gjithë studentëve që studiojnë në universitete të fillojnë të materializojnë një perspektivë të së nesërmes pa mbaruar ende studimet”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se synimi është që studentët të përfshihen në praktika pune që u ofrojnë këtë perspektivë dhe u sigurojnë informacion të domosdoshëm për t’u bërë pjesë e trupave që operojnë në interes të shtetit shqiptar.

“Nga ana tjetër, edhe për të krijuar ura dhe kanale të reja bashkëpunimi në mënyrë që investimet dhe mbështetja e drejtpërdrejtë e qeverisë për universitetin të shkojnë në funksion të përfitimit të ndërsjellë. Pra, ajo që universiteti përfiton të materializohet në jetën konkrete të studentëve dhe ajo që shteti investon të materializohet në impaktin që këta studentë kanë në rritjen e cilësisë së punës në strukturat shtetërore”, shtoi Rama.

Kryeministri bëri të ditur se praktikat e punës tanimë janë bërë rutinë dhe çdo vit një numër i konsiderueshëm studentësh kanë mundësinë të shfrytëzojnë këto praktika pune për të realizuar tranzicionin midis universitetit dhe frontit të punës në jetën e përditshme./atsh.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *