Një zjarr ka shpërthyer këtë mëngjes në një parkim shumëkatësh të Terminalit 3 në aeroportin Heathrow në Londër, pasi një automjet mori flakë papritur, raportojnë autoritetet vendase.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë shtëllunga të mëdha tymi që përfshijnë godinat dhe flakë që përhapen me shpejtësi.
Sipas autoriteteve britanike, alarmi i parë u dha në orën 09:03, ndërsa menjëherë në vendngjarje mbërritën katër automjete zjarrfikëse dhe rreth 25 zjarrfikës nga stacionet e Heathrow, Hayes dhe Feltham.
Për shkak të flakëve, një pjesë e autostradës M4 në drejtim të jugut është mbyllur pranë aeroportit, ndërsa udhëtarëve u është këshilluar të përdorin daljen J3 të M4 ose J14 të M25. Edhe disa linja autobusësh janë detyruar të ndërpresin shërbimin e tyre drejt Heathrow, duke shkaktuar vonesa dhe konfuzion për pasagjerët.
Një zëdhënës i Heathrow konfirmoi se bëhej fjalë për një zjarr të kontrolluar.
“Mëngjesin e sotëm, ekipet tona reaguan ndaj një zjarri në parkimin shumëkatësh të Terminalit 3. Zjarri u shua shpejt, por parkimi mbetet i mbyllur përkohësisht, gjë që mund të shkaktojë trafik në rrugët përreth. Të gjitha parkimet e tjera të aeroportit funksionojnë normalisht. Kërkojmë ndjesë pasagjerëve për shqetësimin e shkaktuar,” u shpreh ai.

Leave a Reply