Një gjykatë në Paris ka shpallur fajtorë dhjetë individë për ngacmim kibernetik ndaj Zonjës së Parë të Francës, Brigitte Macron.
Ata u akuzuan për përhapjen e informacioneve të rreme në internet që lidhen me gjininë dhe seksualitetin e saj, duke përfshirë pretendime të pavërteta se ajo ka lindur burrë. Gjykata i ka dënuar ata me masa që variojnë nga trajnimi për ndërgjegjësim ndaj ngacmimit online deri te dënimet me kusht deri në tetë muaj.
Komentet e tyre u cilësuan si “veçanërisht degraduese dhe fyese”. Grupi i të dënuarve, që përbëhet nga tetë burra dhe dy gra të moshës 41 deri në 65 vjeç, akuzohen për postime të shumta që lidhnin në mënyrë të rreme diferencën e moshës prej 24 vjetësh mes Brigitte dhe Emmanuel Macron me pedofilinë.
Disa nga këto postime u panë dhjetëra mijëra herë. Brigitte Macron nuk ishte e pranishme në gjyqin e mbajtur në tetor, por në një intervistë në TF1, ajo theksoi se nisja e procedurave ligjore kishte për qëllim të “jepte një shembull” në luftën kundër ngacmimeve.
Ndërkohë, Macronët kanë nisur një padi për shpifje në SHBA kundër influencueses Candace Owens.

Leave a Reply