Prokurorja Vega Iodice ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarit amerikan, Jock Covey, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ajo e pyeti lidhur me operacionet e KFOR-it, veçanërisht atë gjerman, duke paraqitur një dokument në gjermanisht.
“Kontigjenti gjerman i KFOR-it ka përgjegjësi të ndalojë kriminelët dhe t’i mbajë në arrest, përveç anëtarëve të kontingjenteve ndërkombëtare, për të garantuar rendin publik, për të parandaluar krime të mëtejshme dhe, nëse është e nevojshme, të ndihmojë në procesin penal kundër autorëve të këtyre veprave. Trupat e KFOR-it do të arrestojnë personat që dyshohet se kanë kryer vepra të rënda penale dhe që janë kapur në flagrancë ose ishin duke kryer vepra penale”, lexoi prokurorja.
Prokurorja: A ka qenë kjo pjesë e detyrave të KFOR-it atëherë, apo jo?
Dëshmitari Covey u përgjigj: “Nuk mendoj se kjo është një përshkrim i saktë. Ka kaluar shumë kohë dhe nuk njoh mirë gjermanishten, por mendoj se përkthimi është i pasaktë”.
Ai shtoi se dokumenti nuk përmend arrestim, por ndalim.
“Ky është një dokument i përgatitur nga kontingjenti gjerman, jo nga selia apo komanda qendrore e Jackson. Secili kontingjent kishte disa autonomi, disa më shumë se të tjerët. Francezët dhe amerikanët njiheshin për autonominë e tyre. Gjermanët nuk kundërshtonin autoritetin qendror, por askush nuk kontrollonte dokumentet e tyre nga qendra. Mendoj se është ekzagjeruar në përshkrimet që flasin për detyrimet e forcave ushtarake në lidhje me veprimtaritë kriminale”.
Gjykatësi Fergal Gaynor ndërhyri këtu.
Ai kërkoi sqarime nga prokurorja.
“Që ta kuptoj këtë dëshmi, a kanë këto pyetje qëllim të tregojnë se KFOR-i në fakt ka ndaluar persona për vepra të rënda penale?”, pyeti Gaynor.
“Jo, është më e gjerë. Për të kuptuar mënyrën si e kanë ushtruar mandatin e tyre”, u përgjigj prokurorja.
Gjykatësi Gaynor kërkoi të sqarojë nëse prokurorja po vinte në pikëpyetje besueshmërinë e dëshmitarit.
“Pra, ju po vini në pikëpyetje besueshmërinë e dëshmitarit apo po nxirrni dëshmi për të mbështetur argumentet tuaja? Më duket se po përpiqeni të thoni se KFOR-i kishte mundësinë të ndalonte persona për vepra të rënda penale”.
“Nuk jam e përqendruar te mandati i KFOR-it, por te mënyra se si është zbatuar”, përfundoi prokurorja, duke kërkuar më pas seancë private./Klankosova

Leave a Reply