I dyshuari për vrasjen në Debëlldeh të Vitisë dorëzohet tek autoritetet policore

I dyshuari për vrasjen që ndodhi rreth dy javë më parë në fshatin Debëlldeh të Vitisë është dorëzuar në Polici të mërkurën. Akuzohet për “vrasje të rëndë”.

J.I., i lindur në vitin 1987, dyshohet se është i përfshirë në rastin e ndodhur më 18 shtator.

Fillimisht, viktima ishte plagosur, por ndërroi jetë pas pesë ditësh në spital.

“Njësia e Hetimeve të Përgjithshme nga Sektori Rajonal i Hetimeve i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, si rezultat i veprimeve të vazhdueshme hetimore intensive, intervistave, zbatimit të masave të veçanta hetimore si dhe kontrolleve të përsëritura në disa lokacione të identifikuara si të mundshme për strehim (fshehje) të të dyshuarit, ka arritur të ushtrojë presion të vazhdueshëm që besohet se ka çuar në dorëzimin e të dyshuarit sot me datën 01.10.2025”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *