Disa rajone të Australisë do të përballen me rrezik të lartë nga zjarret të premten, për shkak të valëve të nxehtësisë që pritet të përfshijnë vendin.
Përveç Queenslandit, çdo shtet dhe territor ka shpallur paralajmërime për temperatura ekstreme, që do të zgjasin disa ditë. Në Victoria, autoritetet kanë vendosur ndalim të plotë të zjarreve, duke deklaruar rrezikun e zjarrit si “katastrofik”, niveli më i lartë i mundshëm.
Për pasojë, rreth 450 shkolla dhe qendra kujdesi do të mbyllen. Zjarrfikësit u përballën me disa vatra zjarri në Victoria dhe New South Wales, ndërsa aeroplanët u përdorën për të shuar flakët pranë Wodonga.
Në Melbourne, e mërkura shënoi 40.9°C, temperatura më e lartë në gjashtë vjet. Në disa qytete të Western Australia, temperaturat arritën deri në 49°C.
Për New South Wales, vala e nxehtësisë pritet të arrijë kulmin të shtunën, me Sydney-n që parashikohet të arrijë 42°C. Sipas Angus Hines nga Byroja e Meteorologjisë, e premtja do të shënojë “kulmin e vërtetë të kësaj vale të nxehtësisë”.

Leave a Reply