Situata e përmbytjeve në Kosovë ka treguar një përmirësim të dukshëm, pasi reshjet e shiut janë ndalur dhe kanë nisur reshjet e borës.
Sipas Qendrës Operative Emergjente dhe njësive në terren, niveli i ujit në lumenj është në rënie, duke mos paraqitur momentalisht rrezik për përmbytje të reja. Në Prishtinë dhe rrethina janë raportuar disa përmbytje lokale në nënkalime dhe bllokime rrugësh dytësore, por situata mbetet e menaxhueshme.
Në Prizren, ndërhyrjet gjatë natës kanë qenë të pakta dhe kryesisht teknike. Në Mitrovicë, gjendja është relativisht e qetë, me disa familje të evakuuara përkohësisht në jug.
Në rajonin e Pejës, janë bërë dy ndërhyrje në Istog, përfshirë evakuimin e një familjeje, ndërsa komunat e tjera janë në gjendje stabile. Në Gjakovë dhe Gjilan, situata është e qetë dhe uji në lumenj është në rënie.
Njësitë e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit janë të gatshme për të ndihmuar qytetarët, ndërsa Sistemi i Komunikimit Emergjent 112 monitoron dhe koordinon situatën 24 orë. Reshjet e borës dhe ngricat kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin rrugor, me disa rrugë të bllokuara.
Qytetarët këshillohen për kujdes të shtuar gjatë udhëtimit.

Leave a Reply