Një operacion i gjerë policor është zhvilluar në Kosovë, ku 39 persona u arrestuan pas hetimeve të zgjatura disa mujore.
Prokuroria Themelore e Prizrenit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zbatuar masa të veçanta hetimore që çuan në zbulimin e një skeme mashtrimi financiar. Zyrtarët kanë sekuestruar rreth 1.3 milionë euro në llogari bankare, 23,700 euro kesh, si dhe sendet e tjera përfshirë ar dhe pajisje elektronike.
Të dyshuarit akuzohen për përfshirje në veprimtari kriminale, duke përdorur dokumente të falsifikuara dhe transaksione fiktive, duke dëmtuar një subjekt financiar në shumën e 1.043.248 euro. Akuzat përfshijnë “Keqpërdorim të besimit”, “Keqpërdorim të autorizimeve ekonomike” dhe “Falsifikim të dokumenteve”.
Në hetim u përfshinë gjithsej 47 persona, përfshirë një ent juridik. Arrestimet u kryen nga një ekip prej 8 prokurorësh dhe 400 zyrtarësh policorë, ndërsa të arrestuarit janë nën ndalim për 48 orë.
Prokuroria pritet të kërkojë masa për sigurimin e pranisë së tyre gjatë proceseve gjyqësore.

Leave a Reply