Laboratori turk në Kosovë: Mbi 1200 analiza pa licencë

Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë ka vendosur një gjobë prej pesë mijë eurosh ndaj Institucionit Privat Shëndetësor “Elab Kosova Sh.P.K.” për operim pa licencë të vlefshme nga 20 shkurti deri më 16 prill 2025.

Ky laborator ka ofruar shërbime të biokimisë hematologjike për 478 pacientë dhe shërbime mikrobiologjike për 705 pacientë pa licencë të nevojshme. Gjatë inspektimit, u zbulua se një punonjës, Alban Ukmata, po punonte pa lajmërim dhe licencim në Divizionin për Licencim dhe Akreditim (DLA).

Për më tepër, analizat laboratorike të disa pacientëve mungonin nënshkrimin e specialistit. Laboratori ka ofruar teste për Hepatit B, Hepatit C dhe HIV pa licencën e duhur.

Në fund të inspektimit, “Elab Kosova Sh.P.K.” iu ndalua veprimtaria deri në pajisjen me licencë të re. Gjithashtu, terapia Antishok nuk ishte e kompletuar, duke rrezikuar sigurinë e pacientëve.

“Elab Kosova Sh.P.K.” është në pronësi të kompanisë turke “Elab fulya tibbi tahlil laborator hizmetleri anonim sirketi,” me Pinar Er si drejtoreshë. Ende nuk ka përgjigje nga laboratori për situatën e krijuar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *