Ministri i Infrastrukturës në detyrë, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se në Kosovë ekzistojnë 491 kilometra lumenj të rrezikuar nga vërshimet dhe përmbytjet, me 398 zona të klasifikuara si me rrezik të konsiderueshëm, ndërsa 108 prej tyre janë në rrezik ekstrem.
Në një emision të veçantë mbi vërshimet, ai theksoi nevojën për investime nga nivelet qendrore dhe lokale për të minimizuar pasojat e reshjeve të mëdha. Durmishi njoftoi se do të kryhet një vlerësim i dëmeve nga institucionet përkatëse dhe Qeveria e Kosovës do të angazhohet për kompensimin e tyre.
Ai theksoi rëndësinë e një koordinimi më të mirë midis Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe komunave për të zbatuar projekte që do të parandalojnë përsëritjen e situatave të ngjashme. Gjithashtu, ai informoi se rrugët janë të kalueshme pas reshjeve të fundit, por u bëri thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm në lëvizjet e tyre, duke iu përshtatur kushteve atmosferike dhe duke mos dalë pa pajisje dimërore.

Leave a Reply