PDK përçahet në Fushë Kosovë pas koalicionit me LVV-në

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Fushë Kosovë është përçarë në dy grupime të mëdha, duke shkaktuar tensione brenda partisë.

Grupi i udhëhequr nga Rrahim Tërnava ka arritur një marrëveshje koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), duke siguruar drejtimin e tri drejtorive komunale. Ndërkohë, krahu i Bashkim Mustafës i ka kritikuar ashpër këta zhvillime, duke i quajtur si “profiterë” që nuk përfaqësojnë PDK-në.

Kjo lëvizje ka shpërfaqur divergjenca të thella brenda strukturës lokale, me Mustafën që akuzon Tërnavën për keqpërdorimin e logos së partisë dhe për emërimin e personave që shërbejnë vetëm interesat e tyre personale. Mustafa ka mohuar çdo lidhje me LVV-në dhe ka theksuar se grupi i tij nuk njeh atë marrëveshje.

Në anën tjetër, grupi i Tërnavës ka akuzuar kundërshtarët e tyre për lidhje afatgjata me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke i përshkruar si “nëndegë” të kësaj partie. Ata pretendojnë se marrëveshja me LVV-në është në interes të qytetarëve, ndërsa theksojnë se “profiterët e vërtetë” janë ata që kanë bashkëpunuar me LDK-në.

Ndërkohë, burime brenda komunës kanë konfirmuar se emërimet për tri drejtori tashmë janë bërë zyrtare. Mirsad Qyqalla, Pranvera Merovci dhe Artan Hajrullahu tashmë kanë filluar detyrat e tyre në drejtoritë përkatëse të Bujqësisë, Zhvillimit Ekonomik dhe Gjeodezisë.

Kjo situatë ka krijuar konfuzion për elektoratin, ndërsa qendra e PDK-së në Prishtinë ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për njohjen e grupit legjitim brenda degës së Fushë Kosovës. Tensionet priten të vazhdojnë, me një pjesë të PDK-së që parashikon opozitë të ashpër ndaj LVV-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *