Ministri i Drejtësisë në detyrë, Blerim Sallahu, ka shprehur pakënaqësi lidhur me vonesën e Gjykatës Kushtetuese për aktgjykimin mbi Projektligjin për Byronë Shtetërore të Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.
Sipas tij, procesi që zgjati një vit e 28 ditë ka tejkaluar afatet ligjore dhe përbën një pengesë në luftën kundër korrupsionit. Në një postim në Facebook, Sallahu bëri të ditur se Gjykata ka konstatuar shkelje procedurale gjatë miratimit të projektligjit, duke kërkuar rishqyrtimin e tij në Kuvend.
Ai e quajti të papranueshme mbajtjen pezull të një ligji kaq të rëndësishëm për një kohë kaq të gjatë, duke e cilësuar si veprim joligjor dhe joprofesional. Sipas ministrit, vonesa të tilla minojnë autoritetin e Qeverisë dhe Kuvendit në procesin legjislativ dhe dëmtojnë përpjekjet për të luftuar krimin dhe korrupsionin.
Sallahu mbetet optimist se pavarësisht pengesave, procesi i konfiskimit do të fillojë brenda këtij viti.

Leave a Reply