Ministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka shprehur pakënaqësinë ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila ka anuluar projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Sallahu akuzon Gjykatën për tejkalim të afateve ligjore në shqyrtimin e këtij projektligji. Ai thekson se, pavarësisht vendimit të Gjykatës, konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të nisë këtë vit.
Sipas ministrit, Gjykata ka konstatuar shkelje procedurale gjatë miratimit të projektligjit në Kuvend, duke kërkuar rikthimin e tij për rishikim. Sallahu e cilëson këtë vonesë si të paligjshme dhe joetike, duke argumentuar se pengon luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Ai shton se këto vonesa cenojnë kompetencat kushtetuese të Qeverisë dhe Kuvendit në procesin e miratimit të ligjeve. Megjithatë, ministri mbetet i vendosur që procesi i konfiskimit të fillojë brenda vitit.

Leave a Reply