Përmbytjet në Shqipëri: Evakuohen qindra banorë

Reshjet e forta të shiut kanë shkaktuar probleme të mëdha në disa qarqe të vendit, duke përfshirë përmbytje, rritje të nivelit të lumenjve dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.

Ministria e Mbrojtjes raporton se situata është më kritike në qarqet Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat, ndërsa në zonat e tjera problemet janë më të kufizuara. Në Shkodër, lumenjtë Drin, Kir dhe Bunë kanë shkaktuar përmbytje, veçanërisht në njësitë Ana e Malit dhe Dajç.

Strukturat e emergjencave janë në terren për të monitoruar dhe menaxhuar situatën. Në Durrës, dëmet janë verifikuar në mbi 1,700 banesa dhe janë evakuuar 851 persona, ndërsa rreth 2,000 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë.

Në Lezhë, pavarësisht rënies së nivelit të ujit në tokat bujqësore, forcat po punojnë për largimin e ujit nga banesat. Hidrovorët janë në funksion të plotë, përveç njërit që ka mungesë energjie.

Përmbytje të konsiderueshme janë raportuar edhe në Gjirokastër, Dibër, Berat dhe Elbasan, ku autoritetet po punojnë për pastrimin e rrugëve dhe monitorimin e situatës. Forcat e Armatosura janë angazhuar për të ndihmuar në transportimin e banorëve dhe shpërndarjen e ndihmave.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *