Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rreth orës 01:00 të mëngjesit, ka marrë një informacion mbi dyshimet për organizim të lojërave të fatit të jashtëligjshme në një lokal në Skenderaj.
Njësitë policore kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë identifikuar lokalin e dyshuar. Gjatë kontrollit, policia ka gjetur 14 persona të pranishëm që besohet se po merrnin pjesë në këto aktivitete.
Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar një tavolinë pokeri dhe pajisje të tjera të përdorura për lojërat e fatit. Si pasojë e veprimeve hetimore, pronari i lokalit është arrestuar, ndërsa të tjerët janë shoqëruar për intervistim si dëshmitarë.
Sipas urdhrit të prokurorit kujdestar, është ngritur një rast penal kundër të dyshuarit për “Organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, dhe ai është vendosur në ndalim policor.

Leave a Reply