Altin Meçaj, një banor i Vjosës dhe emigrant në Gjermani, u sulmua dhunshëm mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00.
Ngjarja ndodhi pasi ai bëri një koment në Messenger për motrën e një punonjësi policie të zonës. Meçaj rrëfen se ai arriti në shtëpi rreth orës 23:00, ku e priste një mesazh kërcënues nga një bashkëfshatar, aktualisht komandant i forcave RENEA në Fier.
Situata u përshkallëzua kur dritat e shtëpisë së tij u fikën dhe ai u thirr për të dalë jashtë. Kur doli, u përball me tre persona që e sulmuan brutalisht, duke e lënë pa ndjenja.
Incidenti shkaktoi gjithashtu lëndime për babanë e tij 80-vjeçar, Ylli Meçaj, i cili tregon se e gjeti të birin të mbuluar me gjak. Telefoni i Altinit u mor gjatë sulmit dhe ende nuk është gjetur, pavarësisht përpjekjeve të policisë.
Altin Meçaj kërkon drejtësi dhe shpreson që ngjarje të tilla të mos përsëriten më, duke theksuar se marrëdhëniet me familjen e autorit kanë qenë të mira më parë.

Leave a Reply