Sërgjan Lazoviq pranon mobilizimin, mohon lidhjen me Panorcin

Në seancën e Gjykatës Themelore të Prishtinës, të martën, ndaj Sërgjan Lazoviq, i akuzuar për krime lufte në Panorc të Malishevës, u shqyrtuan provat materiale dhe u dha mbrojtja e të akuzuarit.

Lazoviq këmbënguli se nuk kishte marrë pjesë në ngjarjet e përmendura. Prokurori special Armend Zenelaj propozoi administrimin e disa provave materiale, përfshirë dëshmi dhe raporte nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që kundërshtoi përfshirjen e një ekspertize nga mbrojtja.

Avokatja e Lazoviqit, Feride Xani, kundërshtoi këtë propozim, duke theksuar besueshmërinë e ekspertizës së ofruar nga mbrojtja. Gjyqtari Vesel Ismaili vendosi në favor të mbrojtjes për administrimin e kësaj ekspertize.

Gjatë seancës, Lazoviq deklaroi se ishte mobilizuar si pjesëtar rezervë i forcave ushtarake më 24 mars 1999, por mohoi kategorikisht përfshirjen e tij në ngjarjet në Panorc. Ai theksoi se nuk kishte marrë pjesë në ngjarjet që i përshkruan aktakuza e ngritur më 19 nëntor 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *