Në Prishtinë, është vendosur gur themeli për objektin e odave të profesionistëve shëndetësorë, një projekt i rëndësishëm për të forcuar sistemin shëndetësor në Kosovë.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, theksoi se ky objekt do të shërbejë si hapësirë e përbashkët për Odën e Mjekëve, Stomatologëve, Farmacistëve, Infermierëve dhe Fizioterapeutëve, duke përmirësuar cilësinë e shërbimeve për qytetarët. Në këtë ceremoni, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, vlerësoi bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë për sigurimin e tokës, duke e cilësuar këtë projekt si model për iniciativa të ardhshme, përfshirë propozimin për spitalin e kryeqytetit.
Ambasadori Patrick Heck nga Luksemburgu, i pranishëm në ngjarje, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe shprehu krenarinë për kontributin 20-vjeçar të vendit të tij në sektorin e shëndetësisë në Kosovë. Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, falënderoi partnerët për mbështetjen dhe besimin e vazhdueshëm në këtë projekt të rëndësishëm për të ardhmen e shëndetësisë në vend.

Leave a Reply