Takimi Osmani-Sorensen: Presidenca zbulon detaje të reja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një takim me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen.

Në këtë takim u shqyrtuan zhvillimet aktuale politike, proceset zgjedhore dhe çështjet e sigurisë në Kosovë, si dhe raportet me BE-në dhe të ardhmen e dialogut me Serbinë. Osmani theksoi se dialogu duhet të përqendrohet në njohjen reciproke dhe se trajtimi i barabartë i palëve është thelbësor për suksesin e tij.

Ajo kritikoi Serbinë për shkeljen e vazhdueshme të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, duke theksuar se këto veprime minojnë sovranitetin e Kosovës. Gjithashtu, Presidentja vlerësoi zhvillimin demokratik të zgjedhjeve në Kosovë, të cilat treguan përkushtimin e shtetit ndaj standardeve evropiane.

Ajo përshëndeti heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm drejt partneritetit të plotë me Bashkimin Evropian. Në fund, Osmani theksoi rëndësinë e avancimit të statusit të Kosovës si kandidat për BE-në, duke nënvizuar se ky hap është strategjik për stabilitetin rajonal dhe për kredibilitetin e BE-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *