Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pësuar një humbje të rëndësishme në Gjakovë me largimin e Eranda Kumnova-Baçit, një prej figurave më të votuara.
Ish-drejtoresha e Arsimit dhe asambleistja aktuale ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha pozitat në partinë e Ramush Haradinajt. Në një deklaratë publike, Kumnova-Baçi njoftoi se dorëheqjen e saj ia ka paraqitur kryetarit Haradinaj, duke kritikuar ashpër drejtimin e degës së partisë në Gjakovë.
Ajo e arsyetoi largimin me faktin se në parti nuk vlerësohet puna dhe përkushtimi, por përkundrazi “antivlera” dhe servilizmi. Kumnova-Baçi theksoi se nuk mund të vazhdojë të jetë pjesë e një dege që ka humbur vlerat morale dhe politike, duke shtuar se qëndrimi i mëtejshëm do të ishte kompromis me ndërgjegjen e saj.
Ajo do të vazhdojë të ushtrojë mandatin si anëtare e pavarur në Asamblenë Komunale të Gjakovës. Në fjalën e saj, ajo vlerësoi kontributin katërvjeçar në drejtimin e arsimit, duke përmendur projektet për digjitalizim dhe angazhimin për qytetarët, duke përfunduar me mesazhin se politika pa vlera është pushtet pa dinjitet.

Leave a Reply