Berisha dhe “Plisat” zgjedhin drejtuesin e ri të Sigal Prishtinës

Bekë Berisha nuk do të vazhdojë më si kryetar i klubit të basketbollit Sigal Prishtina.

Ai ka njoftuar se, për të lehtësuar menaxhimin e klubit, do të emërohet një ushtrues detyre në koordinim me tifozët dhe kryesinë aktuale. Berisha theksoi se, edhe pse nuk ka dhënë dorëheqje, detyrimet e tij të ardhshme si deputet mund të pengojnë përmbushjen e përgjegjësive në klub.

Në një takim me tifozët “Plisat”, Berisha shpjegoi se keqkuptimet e fundit janë duke u adresuar përmes propozimeve që synojnë përmirësimin e situatës në klub. Ai theksoi se emërimi i një ushtruesi detyre do të jetë i përbashkët, duke marrë parasysh sugjerimet e tifozëve dhe dashamirëve të sportit.

Berisha, i cili u emërua kryetar më 14 janar, po përballet me presion për të zgjedhur mes rolit të tij në klub dhe detyrave si deputet, pasi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka deklaruar se ky është një konflikt interesi. Pakënaqësitë mes “Plisave” dhe kryesisë së vjetër kanë qenë të dukshme edhe pas emërimit të tij.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *