Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar në rrjetet sociale ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, me rastin e 20-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta.
Kurti e përshkroi Rugovën si një lider politik të shquar dhe një intelektual të përkushtuar, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës. Rugova ishte një figurë kyçe në periudhën e formimit të shtetit të Kosovës, duke udhëhequr proceset e pluralizmit politik, demokratizimit dhe ndërkombëtarizimit të çështjes kosovare.
Ai ishte kryetari i parë i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nga themelimi i saj në vitin 1989 deri në vitin 2006, kur ndërroi jetë. Në kohë të vështira kur Kosova përballej me presione të ashpra nga regjimi serb, Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës më 1992.
Ai u bë një zë i fuqishëm në arenën ndërkombëtare, duke arritur të takojë liderë globalë, përfshirë Presidentin amerikan, Bill Klinton. Kontributi i Rugovës në orientimin pro-perëndimor të Kosovës dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së saj mbetet i rëndësishëm.
Ai ndërroi jetë më 21 janar 2006, duke lënë pas një trashëgimi të pasur politike dhe kulturore.

Leave a Reply