Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për mirëqenien sociale për dhjetorin e vitit 2025, duke treguar ndryshime në numrin e përfituesve të pensioneve dhe skemave sociale krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024.
Numri i përfituesve veteranë është rritur me 2.7%, nga 36,990 në 37,975 individë. Në anën tjetër, skema e ndihmës sociale ka parë një rënie prej 10.3%, nga 18,121 në 16,253 përfitues.
Ndryshime të tjera përfshijnë rënie në pensionet invalidore për 27.5% dhe pensionet e Trepçës për 20.6%. Megjithatë, disa skema kanë shënuar rritje.
Pensionet paraplegjike dhe tetraplegjike u rritën me 12.6%, ndërsa pensionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës u rritën me 8.6%. Gjithashtu, pati një rritje prej 8.0% në skemat për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara dhe 7.5% në pensionet bazike të moshës.
Ndryshime të tjera pozitive përfshijnë rritjen në skemat për personat me aftësi të kufizuara dhe kompensimet për punonjësit e arsimit të viteve 1990/91 deri në 1998/99.

Leave a Reply