Dy të akuzuar për fajde, viktima humb 6 milionë euro

Prokuroria Speciale ka ngritur akuza kundër Bekim Mehmetit dhe Qendrim Marevcit për vepra penale si fajde, shpëlarje parash, falsifikim dokumentesh, mashtrim dhe kanosje.

Hetimet zbuluan se të dyshuarit, gjatë vitit 2020, kanë përfituar në mënyrë joproporcionale përmes kontratave të paligjshme, duke i dhënë para me fajde viktimës disa herë. Sipas aktakuzës, ata dyshohen se kanë tjetërsuar pronën e viktimës në Prishtinë, pasi ky i fundit nuk kishte mundësi të shlyente borxhin.

Mehmetit dhe Marevcit po ashtu u vihet në barrë konvertimi i paligjshëm i pasurisë së fituar nga aktiviteti kriminal, duke sjellë dëme të mëdha financiare në vlerën prej 6,300,000 euro. Policia e Kosovës arrestoi Mehmetin dhe Marevcin më 5 shtator 2025, nën dyshimin për përfshirje në këto krime.

Pas arrestimit, ata u mbajtën për 48 orë, ndërsa hetimet përfshinë edhe kontrollin e katër lokacioneve dhe sekuestrimin e disa dëshmive materiale.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *