Procesi i rinumërimit të votave për zgjedhjet e 28 dhjetorit po vijon, pas zbulimeve për manipulime të mëdha.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se deri tani janë rinumëruar 1,500 nga 2,557 vendvotime në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, duke përmbyllur këtë proces në 22 komuna. Që nga fillimi i rinumërimit më 13 janar, KQZ ka arritur të përpunojë mbi 58% të vendvotimeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, theksoi përkushtimin e institucionit për të përfunduar sa më shpejt rinumërimin e mbetur, me synimin për të shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës. Ndërkohë, Prokuroria në Prizren ka arrestuar 109 komisionerë për manipulime.
Për 21 prej tyre është kërkuar paraburgim për falsifikim të rezultateve, ndërsa një komisionere përballet me akuza për falsifikim dhe marrje ryshfeti. Një vëzhgues po ashtu akuzohet për kanosje dhe dhënie ryshfeti.
KQZ shpreson të përmbyllë rinumërimin gjatë javës së ardhshme.

Leave a Reply