Në kuadër të hetimeve ndaj parregullsive në sektorin privat të shëndetësisë, është zbuluar se spitali privat “American Hospital Kosova” Sh.P.K., i themeluar nga Klodian Allajbeu, ka shkelur rregulloret e Ligjit për Shëndetësi.
Inspektorati i Ministrisë së Shëndetësisë ka vendosur një gjobë prej 1 mijë eurosh ndaj këtij institucioni për këto shkelje, e cila mund të përgjysmohet nëse paguhet brenda 15 ditësh. Raporti i inspektimit i datës 17 qershor 2025 konfirmon se pas ankesës së një pacienti, Sh.M., u zbulua se spitali ofronte shërbime të infektologjisë pa leje zyrtare.
Për më tepër, Dr. Murat Mehmeti kishte punuar në këtë institucion pa qenë i regjistruar në Divizionin për Licencim dhe Akreditim.
Në reagim ndaj këtyre zbulimeve, Inspektorati ka rekomanduar ndalimin e plotë të shërbimeve nga Dr. Mehmeti deri në përmbushjen e procedurave të nevojshme të licencimit.
Dokumentet e inspektimit janë dorëzuar për shqyrtim profesional në Odën e Mjekëve të Kosovës për vlerësimin e trajtimit të pacientit nga tre specialistë të urologjisë. Ndërkohë, një tjetër spital privat i themeluar nga Allajbeu është përballur me probleme ligjore për punësimin e mjekëve të palicencuar nga Turqia.

Leave a Reply