Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se aktualisht disponon rreth 800 vende të lira në institucionet e tyre, teksa po zhvillohen hetime për manipulim të votave në zgjedhjet e fundit.
Drejtori i Përgjithshëm i ShKK-së, Ismail Dibrani, theksoi se nuk ka mungesë kapacitetesh dhe janë të përgatitur edhe për situata të jashtëzakonshme. Ai shpjegoi se në rastet e ndalimeve policore, menaxhimi i personave është përgjegjësi e Policisë së Kosovës, ndërsa ShKK-ja siguron hapësirat e nevojshme.
Dibrani gjithashtu theksoi se pas vendimit të gjykatës për paraburgim, të ndaluarit shpërndahen në qendrat përkatëse korrektuese, sipas koordinimit me policinë. Ai hodhi poshtë raportet për keqtrajtim të të ndaluarve, duke theksuar se ShKK-ja nuk ka qasje në hapësirat e ndalimit policor.
Për kushtet në qendrat e paraburgimit, Dibrani konfirmoi se ato janë sipas standardeve ndërkombëtare, duke shtuar se ShKK-ja është një shembull për rajonin dhe më gjerë. Ndërkohë, rreth 60 komisionerë nga Malisheva janë pyetur në stacionin policor të Gjakovës lidhur me manipulimin e rezultateve zgjedhore.

Leave a Reply