Qalaj mbledh prokurorët për hetime të unifikuara të votave

Agron Qalaj, i cili po ushtron detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ka mbajtur një takim me kryeprokurorët e të gjitha prokurorive, ku u theksua rëndësia e trajtimit të rasteve të lidhura me zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Gjatë këtij kolegjiumi, Qalaj vlerësoi përkushtimin e prokurorëve gjatë procesit zgjedhor, duke nënvizuar se ata kanë vepruar me profesionalizëm dhe vigjilencë për të mbrojtur integritetin zgjedhor dhe vullnetin e qytetarëve. Ai theksoi se është thelbësore që të ketë një trajtim të unifikuar dhe efikas të rasteve të mundshme të keqpërdorimit ose falsifikimit të votave në të gjitha prokuroritë.

Koordinatorja Nacionale për Zgjedhjet, prokurorja Laura Pula, informoi mbi bashkëpunimin ndërmjet koordinatorëve dhe prokurorive për rastet e dyshimta që mund të kenë cenuar procesin zgjedhor. Prokuroritë themelore kanë ndërmarrë veprime konkrete, duke mbledhur informacione dhe siguruar prova për dyshimet lidhur me manipulimet e mundshme të votave.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *