Më 28 janar, ndërmarrja publike “Rrugët e Serbisë” njoftoi për bllokimin e hyrjeve dhe daljeve për automjetet e rënda në 20 pika kufitare, sipas Drejtorisë së Policisë Kufitare të Serbisë.
Bllokadat përfshijnë kufijtë me Kroacinë, Hungarinë, Rumaninë, Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut. Protestat e shoferëve nga Serbia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, që filluan më 26 janar, janë kundër procedurave të rrepta për hyrjen në Zonën Schengen, të cilat zvogëlojnë kohën e qëndrimit në BE.
Forumi i Investimeve i Dhomave të Tregtisë së Ballkanit Perëndimor i ka bërë thirrje Komisionit Evropian për një zgjidhje urgjente, për të shmangur problemet ekonomike dhe politike që mund të shkaktohen nga bllokadat. Ndikimi i këtyre bllokadave pritet të ndjehet edhe në Kosovë, e cila importon mallra kryesisht përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, paralajmëroi për ndikimet e mundshme në import dhe eksport. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka kërkuar ndihmë nga Ursula von der Leyen për të zgjidhur situatën dhe për të lehtësuar qarkullimin normal të mallrave.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, importet dhe eksportet për vitin e kaluar kanë qenë të konsiderueshme.

Leave a Reply