Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në veri, ku janë zbuluar dhe konfiskuar armë dhe materiale të tjera ilegale.
Ky operacion u zhvillua në Mitrovicë Veri, në një shtëpi të braktisur në lagjen Bërxhane, pas marrjes së informacioneve nga qytetarët. Gjatë kontrollit, u gjetën një sërë sendesh, përfshirë një karikator të zbrazët për armë të gjatë, një bajonetë, disa fishekë të kalibrave të ndryshëm, dhe një minë kundër këmbësorike me detonator.
Ndër materialet e sekuestruara ishin edhe shishe plastike me saqme, kapsula për fishekë, sasi baruti, dhe disa pajisje ushtarake. Për shkak të materialeve të rrezikshme eksplozive, Njësia për trajtimin e mjeteve eksploduese ndërhyri për të siguruar zonën.
Prokurori i Shtetit është informuar dhe ka udhëzuar inicimin e procedurës për veprën penale të posedimit të paautorizuar të armëve. Nuk janë bërë arrestime, dhe hetimet vazhdojnë.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe inkurajon raportimin e çdo informacioni në numrin emergjent 192 për të mbajtur rendin dhe sigurinë publike.

Leave a Reply