Kamionët nga Kosova fillojnë udhëtimin drejt Malit të Zi

Pas ndalimit të bllokadave, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë njoftoi se më 29 janar kamionët kanë rifilluar qarkullimin në drejtim të Malit të Zi.

Ky zhvillim vjen pasi Shoqata e Transportuesve të Malit të Zi vendosi të ndërpresë bllokimin e kufijve për mallrat drejt Bashkimit Evropian, që kishte ndikuar dhe në bizneset kosovare. Pas një takimi me Qeverinë malazeze, transportuesit malazezë njoftuan se janë arritur zgjidhje për disa çështje kryesore.

Megjithatë, problemi me akcizën e karburantit mbetet ende i pazgjidhur. Transportuesit kërkojnë ndryshime në rregulloren për qëndrimin në zonën Schengen, duke qenë se periudha aktuale e lejuar është e pamjaftueshme për ta.

Nga ana tjetër, bizneset në Kosovë ndiejnë pasojat e kësaj bllokade. Disa kompani kosovare raportojnë vonesa dhe rrezikim të kontratave.

Përfaqësues të industrisë kanë shprehur shqetësime për dëmet financiare të shkaktuara nga kjo situatë. Ndërkohë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka adresuar një letër Komisionit Evropian, duke paralajmëruar për pasojat e mundshme të një bllokade të zgjatur.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *