Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka shpallur listën e futbollistëve për ndeshjet e ardhshme kualifikuese për Botërorin 2026 kundër Sllovenisë dhe Suedisë.
Lista përmban 27 futbollistë, ndërsa në rezervë qëndrojnë edhe 9 të tjerë. Ndër të ftuarit janë edhe Edon Zhegrova dhe Milot Rashica, të cilët munguan herën e kaluar, si dhe prurja e re, Albian Hajdari.
Kapiteni Amir Rrahmani nuk do të jetë pjesë për shkak të një lëndimi. Seanca stërvitore e ekipit do të fillojë më 6 tetor në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, ndërsa në të njëjtën ditë, Foda do të mbajë një konferencë për media.
Kosova do të përballet me Slloveninë më 10 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa më 13 tetor do të luajë kundër Suedisë në Goteborg. Të dyja ndeshjet transmetohen drejtpërdrejt në RTK.
Aktualisht, Kosova renditet e dyta në Grupin B me 3 pikë, pas Zvicrës, e cila kryeson me 6 pikë. Suedia dhe Sllovenia kanë nga një pikë.

Leave a Reply