Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar aleatët e tyre në rajon për një mundësi sulmi të mundshëm ndaj Iranit, i cili mund të nisë këtë të dielë.
Burimet amerikane sugjerojnë se përgatitjet për një sulm të tillë janë në faza të avancuara, megjithëse asgjë nuk është konfirmuar përfundimisht nga zyrtarët. Sipas informacioneve, objektivat e sulmit të mundshëm nuk do të përqendrohen vetëm në kapacitetet bërthamore dhe raketore të Iranit, por mund të shtrihen edhe tek udhëheqësit e lartë dhe strukturat kryesore ushtarake.
Presidenti Donald Trump ka theksuar se, nëse bisedimet diplomatike dështojnë, SHBA është e gatshme të veprojë ushtarakisht. Ai nënvizoi praninë e madhe të forcave amerikane në rajon, duke përfshirë anijet luftarake dhe aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln.
Në të njëjtën kohë, Komanda Qendrore e SHBA-së ka paralajmëruar Iranin të qëndrojë larg anijeve amerikane në Ngushticën e Hormuzit. Irani ka deklaruar se çdo sulm ndaj tij mund të provokojë një përgjigje brenda Izraelit.
Ndërkohë, të dyja palët po zhvillojnë ushtrime ushtarake, duke rritur tensionet në rajon. Analistët paralajmërojnë se situata mbetet e ndjeshme dhe mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm në Lindjen e Mesme.

Leave a Reply