Komuna e Mitrovicës, e drejtuar nga kryetari Faton Peci, ka realizuar tenderin e parë që nga fillimi i mandatit të tij, duke lidhur një kontratë për mirëmbajtjen higjieniko-sanitare të objekteve komunale dhe institucioneve vartëse.
Kontrata, me vlerë 36,481 euro, iu dha kompanisë “MBUROYA SH.P.K” përmes negocimit dhe ka një afat të zbatimit prej tre muajsh. Në përshkrimin e kontratës thuhet se punëtorët aktualë do të angazhohen për pastrimin e objekteve, duke punuar 8 orë në ditë, ose 40 orë në javë.
Ky angazhim përfshin 22 punëtorë dhe një menaxher, të cilët do të marrin pagë minimale sipas ligjeve në fuqi. Ndër të tjera, parashikohet edhe dezinfektimi mujor i dyshemeve në çerdhet e fëmijëve për të parandaluar infeksionet.
Megjithatë, nuk është dhënë ndonjë shpjegim përse procedura e negocimit u përdor pa publikimin e njoftimit për kontratë, duke kufizuar kështu konkurrencën. Ligji për Prokurimin Publik e lejon këtë lloj procedure vetëm në raste të veçanta kur plotësohen kritere të caktuara ligjore.

Leave a Reply